Emetimet Scope 1 nga djegia dhe proceset: çfarë të futni dhe ku
Scope 1 janë emetimet direkte të kompanisë: nga lëndët djegëse që digjen në objektet tuaja, nga automjetet e kompanisë dhe nga reaksionet kimike gjatë prodhimit. Ky udhëzues tregon çfarë futet në Karbon360 për secilin burim, nga cili dokument merret dhe cilat gabime shohim më shpesh.

Një regjistrim për lëndën djegëse, në katër hapa
Hapni formularin
Ku dhe kur
Lënda djegëse dhe sasia
Për çfarë përdoret
Emetimet Scope 1 nga djegia stacionare
Këtu hyjnë kaldajat, furrat (për shkrirje, për pjekje dhe të tjera), ngrohëset e ambienteve dhe gjeneratorët rezervë. Lëndët djegëse që mund të zgjidhni: nafta dhe gazoili (litra), nafta për ngrohje (litra), gazi natyror (m³ ose kWh), gazi i lëngshëm LPG (litra ose kg), qymyri (kg ose tonë), druri dhe mbetjet e drurit (kg, tonë ose m³), peletet (kg ose tonë) dhe karburanti i gjeneratorit (litra, nga evidenca e gjeneratorit ose nga kuponët).
Gabimet më të shpeshta: e gjithë blerja futet në një muaj, ndërsa lënda djegëse është harxhuar gjatë disa muajve; për LPG-në ngatërrohen litrat me kilogramët; nafta e automjeteve futet gabimisht këtu.
Djegia në automjete: flota dhe makineritë tuaja
Këtu hyjnë veturat, furgonët, kamionët, autobusët, ngritëset me pirun dhe fadromat që kompania i ka në pronësi ose në kontroll. Mënyra më e saktë është sipas karburantit (litra), nga kartat e karburantit ose nga kuponët. Kur karburanti nuk dihet, mund të futni kilometrat, por shifra shënohet si e vlerësuar. Mjafton një regjistrim në muaj për çdo lloj automjeti.
Mos i futni këtu veturat private me të cilat punonjësit vijnë në punë (kjo është Scope 3). As taksitë, veturat me qira dhe fluturimet për udhëtime pune (këto janë Scope 3, udhëtimet e punës).
Emetimet e procesit: CO₂ nga reaksionet kimike
Në disa industri CO₂ nuk vjen nga djegia, por nga vetë kimia e prodhimit. Shembulli tipik është ngrohja e gurit gëlqeror për të prodhuar klinker. Proceset që mund të zgjidhni: çimento dhe klinker, gëlqere, xham, qeramikë dhe tulla, prodhimi i çelikut dhe i aluminit, si dhe përdorimi i gurit gëlqeror, i dolomitit dhe i sodës së kalcinuar. Të gjitha futen në tonë për muaj.
Lëndët djegëse që digjen në furrë futini veç, te djegia stacionare. Emetimet e procesit dhe ato të djegies dalin në raport si rreshta të veçantë. Nëse eksportoni mallra CBAM, krijoni një objekt për çdo instalim (në gjuhën e CBAM: fabrika ose impianti ku prodhohet malli) dhe futni prodhimin çdo muaj. Nga kjo varet nëse importuesi i pranon të dhënat tuaja apo përdor vlerat standarde.
Lexoni edhe
- Çfarë janë emetimet Scope 1? — përkufizimi
- Burimet e emetimeve që mbështeten — lista e plotë
- Importi i të dhënave të emetimeve me CSV — nga kartat e karburantit dhe nga ERP-ja
Doni që ekipi juaj të mësojë të punojë me Karbon360?
Bëjmë trajnime praktike për ekipet e financave dhe të operacioneve, mbi të dhënat tuaja, në shqip ose në anglisht. Trajnimi paguhet veç, me ofertë për çdo ekip. Na shkruani kush duhet të mësojë dhe çfarë, e ne ju dërgojmë një propozim.
Pyetjet më të shpeshta
Ku futet nafta e automjeteve?
Nafta e automjeteve futet te djegia në automjete. Nafta për gjeneratorët e palëvizshëm futet te djegia stacionare.
Si trajtohen druri dhe peletet?
I futni si çdo lëndë tjetër djegëse. Në raport, CO₂ biogjenik (nga biomasa) del veç, siç e kërkon GHG Protocol.
Lëndën djegëse e futni një herë. Burimi i shifrës ruhet përherë.
Çdo regjistrim Scope 1 ruan dokumentin, faktorin e emetimit dhe versionin e faktorit. Kur dikush pyet, shifra ndiqet deri te burimi.